Për ne law-offices-symbol1 

 

   “SCLR Partners” është firmë për konsulencë ligjore e specializuar për të drejtën ekonomike, të drejtën e pronësisë intelektuale, të drejtën dhe legjislacionin doganor, çështjet bankare, në veçanti për funksionalizimin e procedurave doganore me ndikim ekonomik. Tre nga katër partnerët e firmës kanë qenë zyrtarë të lartë të Doganave të Kosovës dhe për shkak të ekspertizave të tyre profesionale në vazhdimësi janë të angazhuar nga asociacionet biznesore e qeveritare, si dhe nga kompanitë e ndryshme që zhvillojnë veprimtari me tregtinë e jashtme. Përveç kompanive vendore, klientë të saj janë edhe kompanitë ndërkombëtare që kryejnë aktivitete biznesore në Kosovë, veçmas ato të cilat para se t’u qasen investimeve interesohen për infrastrukturën ligjore, klimën dhe kushtet afariste, si dhe rrethanat tjera me ndikim për zhvillimin e një biznesi të qëndrueshëm.  

      “SCLR Partners” është themeluar në vitin 2007 nga mr.sc.Hekuran Haxhimusa, magjistër i shkencave juridike i promovuar në Universitetin e Prishtinës, fillimisht si avokaturë e pavarur, të cilës në vitin 2008 i janë bashkuar edhe dy partnerë, ndërsa më 2011 edhe një partner tjetër, secili me afinitete të veçanta për lëmitë e caktuara komerciale. Njëkohësisht, firma në afarizmin e vet angazhon partnerë tjerë nga radha e rrjetit të saj të ekspertëve të fushave, si: energjetike, industriale, telekomunikacionit, ndërtimtarisë etj., qoftë brenda Kosovës, ashtu edhe nga vendet e regjionit, përfshirë Tiranën, Zagrebin, Lubjanën, Sarajevën, Beogradin, Podgoricën, Shkupin. Korrespodencën me klientë firma e kryen gjuhën shqipe, angleze dhe serb-kroate.

        Në bazë të ekspertizave dhe kompetencës individuale, me ambicie për gërshetimin e eksperiencave të fituara dhe moshës mesatare të re të ekipit, me orientim dhe qasje bashkëkohore evropiane për kahet e zhvillimit të së drejtës komerciale, “SCLR Partners” pretendon të fitojë besueshmërinë e plotë të klientëve të tanishëm dhe të ardhshëm dhe me nivelin e shërbimeve të ofruara të identifikohet si partner serioz dhe i pazëvendësueshëm i korporatave që synojnë tregun kosovar.

  

Hekuran Haxhimusa, Avokat dhe Partner

 Njohës dhe praktikues shumëvjeçar i të drejtës komerciale, veçmas asaj të korporatave. Analist i shmangieve mashtruese dhe evazive që kanë ndodhur dhe ndodhin në tregtinë ndërkombëtare, duke përfshirë edhe masat e Unionit Evropian në rrafshin e pengimit të kontrabandës, ekonomisë informale dhe korrupsionit. Disa vite ka punuar me shumë sukses si përfaqësues i lartë i Doganave të Kosovës në punët e përfaqësimit para të gjitha gjykatave të Kosovës, qoftë penale apo civile, lidhur me kontestet komerciale me vlera disa milionëshe. Ka vizione të theksuara menaxhuese meqë ka ofruar zgjidhje të veçanta për Departamentin e Burimeve humane dhe Departamentin ligjor në Doganën e Kosovës.

Z. Haxhimusa ka përfaqësuar me sukses para gjykatave dhe organeve tjera kompetente disa korporata të njohura në fushën e mbrojtjes së të drejtave që burojnë nga pronësia industriale dhe ka ofruar opsione të pranueshme legjislative, duke konsideruar se kjo fushë është jo mjaft e ekzaminuar dhe praktikuar në rrethanat kosovare. Si përfaqësues ligjor i disa prej korporatave

 më të njohura vendore ka arritur me sukses të afirmon standardet evropiane të afarizmit të cilat promovojnë lirinë e plotë të biznesit jashtë paternalizmit shtetëror dhe ka goditur në vazhdimësi tendencat e burokracisë doganore, të trashëguara nga sistemi paraprak për “ngulfatjen” e biznesit privat dhe vënien e barrierave për zhvillimin e tregtisë së lirë sipas ligjeve të tregut. Ka mbrojtur me sukses interesat e disa korporatave me historik të pasur në fushën e pengimit të evazionit fiskal, për çka posedon afinitet dhe njohuri të thelluara. Me sensin dhe afinitetin e tij të theksuar ka fokusuar çështjet esenciale nga e drejta komerciale ku cenohen të drejtat e bizneseve importuese, pa nguruar që ato t’i adresojë edhe te Gjykata Supreme.  

 

Blerim Prestreshi, Avokat dhe Partner

 Gjatë përvojës në përfaqësimin e kompanive komerciale si dhe disa trajnimeve profesionale të ndjekura nga kjo fushë, brenda dhe jashtë Kosovës, është afirmuar në qarqet afariste si njohës i shkëlqyeshëm i të drejtës komerciale. Imponohet me aftësitë e tij komunikuese dhe të negocimit, me përpikërinë dhe efektivitetin në përmbushjen e kërkesave të klientëve, me njohuri dhe siguri lakmuese të njohjes dhe interpretimit të legjislacionit komercial.                

 Shquhet për efikasitetin impozant të manifestuar gjatë themelimit apo fuzionimit të disa korporatave aksionare vendore dhe ndërkombëtare, si dhe për projektimin dhe akceptimin e ndryshimeve statusore koorporative. Ka manifestuar kompetencë të lartë profesionale gjatë ndjekjes së procedurave të përfaqësimit të kompanive të ndryshme në procesin intensiv të privatizimit në Kosovë, duke i funksionalizuar ato me transformimin e “pronës shoqërore” në “pronë private”.  

 Aktualisht është Kryetar i Komitetit për Praktikantë të Odës së Avokatëve të Kosovës, ku me idetë dhe iniciativat e tij ka dhënë kontribut të rëndësishëm që cilësia e trajnimeve të avokatëve të ri të përmirësohet dhe pasurohet me metoda të reja duke aplikuar standardet dhe risitë e odave të avokatëve të vendeve anëtare të Unionit Evropian. Gatishmëria e tij për t’u kyçur në të gjitha rrjedhat e marrëdhënieve biznesore me shtetet e regjionit e bëjnë të kërkuar opinionin e tij në takimet e shumta të komunitetit korporativ në të cilat ka marrë pjesë.

 

 Dardan Shala, Konsulent Biznesor dhe Partner

 Para themelimit të “SCLR Partners”, ka punuar 8 vite në Shërbimin Doganor të Kosovës, fillimisht si oficer doganor, ndërsa prej 2004-2008 ka qenë udhëheqës i sektorit për procedura doganore me ndikim ekonomik. Njihet si themelues i Sektorit të Procedurave Doganore pranë Doganave të Kosovës dhe në kohën kur udhëhiqte këtë sektor Doganat shquheshin për lehtësim të biznesit. Ka marrë pjesë aktive në krijimin e ambientit të lirë të tregut duke eliminuar barrierat burokratike dhe duke promovuar kushte të barabarta për të gjithë operatorët ekonomik që veprojnë në Kosovë. Po ashtu, njihet si një nga autorët e Kodit Doganor të Kosovës të vitit 2008, ku me ekspertizën e tij kompetente ka vënë themelet dhe esencialisht ka ndikuar për promovimin e procedurave doganore me ndikim ekonomik sipas parimeve dhe standardeve të Unionit Evropian. Po ashtu, gjatë shërbimit në Doganë ka dhënë kontribut në cilësinë e kryeauditorit të jashtëm me ç’ rast ka bërë auditime profesionale në kompanitë më eminente në Kosovë, ndërsa me trajnimet qe u ka mbajtur menaxherëve të lartë dhe udhëheqësve të financave ka kontribuar dukshëm për përvetësimin e metodave bashkëkohore të afarizmit. Disa here është ftuar dhe ka kontribuar në seminare dhe punëtori profesionale të mbajtura në vendet e regjionit, por edhe në vendet anëtare të BE-së.

 Është i licencuar për interpretimin e dispozitave ligjore mbi trajtimin e veçantë të personelit diplomatik dhe konsular. Njëherit, është i licencuar si ekspert për identifikimin dhe mbrojtjen e pronësisë industriale (Patentë, Markë Tregtare dhe Dizajn Industrial) dhe është përfaqësues i autorizuar i disa firmave me renome për mbrojtjen e pronësisë së tyre intelektuale për rajonin e Ballkanit Perëndimor.Ka marrë pjesë në trajnimin e mbajtur në Gjenevë nga Diplomacy Dialogue ku objektiv i programit ishte shtjellimi i aspekteve ekonomike dhe ligjore të tregtisë, me theks të veçantë në drejtim të bashkëpunimeve rajonale dhe globale.

 Z. Shala në qarqet afariste në Kosovë ka dëshmuar afinitet të theksuar për dizajnimin e moduleve më të reja në sistemin e përpunimit automatik të të dhënave, veçmas të kompanive që ndjekin procedurat me ndikim ekonomik dhe financiar. Njëkohësisht, është ekspert i konfirmuar për përcaktimin e vlerave doganore të mallrave, për tarifën doganore dhe origjinën e mallrave, ku ekspertizat dhe opinionet tij janë kërkuar shumë herë nga agjencitë qeveritare dhe Odat Ekonomike, si vendore ashtu edhe të jashtme.

  

Ylber Rraci, Konsulent i Lartë Profesional

Është një nga menaxherët më të suksesshëm të institucioneve kosovare doganore e financiare të pasluftës. Njihet si themelues i Shërbimit Doganor të Kosovës, i cili ka vënë themelet e para të Doganës posa është instaluar Administrata e UNMIK-ut në Kosovë dhe më i merituari për krijimin e burimeve të para fiskale vetanake të Kosovës dhe mbushjen e buxhetit nga taksat e importit që nga shatori i vitit 1999. Është bashkautori me kontributin më të madh për hartimin e Udhëzimit Administrativ për themelimin e Doganës së Kosovës, të nënshkruar nga PSSP e OK-së (në vitin 1999) dhe dizajnues i Memorandumit të Mirëkuptimit për Bashkëpunim Doganor në mes të Kosovës dhe Shqipërisë (2001). Me vendimin e PSSP-së, z. Bernard Kouchner, në shtator 1999 është emëruar Drejtor i Shërbimit Doganor me kompetenca për operimin e të Hyrave, duke udhëhequr me sukses Shërbimin në kohën më të vështirë të shtetndërtimit dhe duke trasuar rrugën për një Doganë bashkëkohore, si hapi më i suksesshëm i zhvillimit institucional në Kosovën e pasluftës. Ka marrë pjesë aktive në formulimin e Kodit të parë doganor të Kosovës (Rregullorja 2004/1), është autor i dy librave universitarë “Sistemi Doganor në Kosovë në rrethana të administrimit ndërkombëtar” (2003) dhe “Bazat e Sistemit Doganor” (2010) dhe i një sërë publikimesh nga politika doganore.

Pas përvojës 20 vjeçare në Doganë, në vitin 2003 kalon me punë në ‘Kasabank’ sh.a. në pozitën e Zëvendësdrejtorit të Përgjithshëm ku po ashtu ka dhënë kontribut të rëndësishëm për afirmimin e kësaj Banke të re në tregun financiar të Kosovës dhe për shkak të profesionalizmit e besueshmërisë së lartë, ka joshur klientelë afariste më serioze dhe me kapacitet të lakmueshëm financiar. Deri në Korrik 2011 ka punuar në NLB Prishtina, në pozitën e Drejtorit të Shërbimit Juridik. Krahas kësaj, për shkak të përgatitjes së tij të begatshme si jurist profesional, besueshmërisë dhe etikës së lartë profesionale, për tri vite (2006-2008) zgjidhet anëtar i Bordit të Pavarur për Rishqyrtimin e Vendimeve të Administratës Tatimore dhe Doganore. Gjatë arbitrimit të tij me kompetencë dhe autoritet ka ngritur besueshmërinë e publikut të gjerë dhe afaristëve në mbarë Kosovën ndaj këtij Institucioni të ri, por shumë të rëndësishëm, i cili gjatë mandatit të tij e ka mbrojtur shtetin nga keqpërdoruesit, por njëkohësisht i ka mbrojtur bizneset e ndershme nga burokracia dhe njëanshmëria e administratës tatimore dhe asaj doganore.      

 

  

Bashkëthemeluesit:

Hekuran Haxhimusa

Blerim Prestreshi

Dardan Shala

 

 


 

   

Copyright © 2009-2013 SCLR Partners.All rights reserved